Nënshkrimi dhe privatësia

Si mbrohen të dhënat tuaja?

Për të kërkuar referendumin nevojiten nënshkrime në fletën zyrtare. Këtu shpjegojmë cilat të dhëna kërkohen, kush i administron dhe çfarë mbrojtjeje e të drejtash parashikon ligji.

Të dhënat në fletën e nënshkrimit përdoren për procesin e mbledhjes dhe verifikimit të firmave. Përdorimi i tyre për qëllime të papajtueshme me këtë proces, si publikimi i listës së firmëtarëve ose ushtrimi i presionit ndaj tyre, është i paligjshëm. Ligji nr. 124/2024 përcakton detyrime për mbrojtjen e të dhënave dhe të drejta për çdo qytetar.

Çfarë të dhënash kërkohen?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi fletën tip për këtë referendum më 20 gusht 2026. Formulari zyrtar ka rubrika për emrin, mbiemrin, atësinë, datëlindjen, vendlindjen, numrin e dokumentit të identitetit, numrin e kontaktit dhe nënshkrimin. Këto rubrika përcaktohen nga fleta tip e KQZ-së, jo nga faqja jonë.

Firma jepet në fletën zyrtare. Kjo faqe nuk kërkon që të vendosni këtu numrin e identitetit ose nënshkrimin tuaj.

Kush i mbledh dhe kush i verifikon?

Nënshkrimet mblidhen nga grupi nismëtar dhe personat e autorizuar prej tij. Vullnetarët e angazhuar për këtë detyrë autorizohen, trajnohen për procedurën dhe detyrimet përkatëse dhe nënshkruajnë deklarata konfidencialiteti. Fletët administrohen gjatë mbledhjes së firmave dhe, më pas, dorëzohen në KQZ për administrimin dhe verifikimin institucional.

Pra, fleta nuk kalon drejtpërdrejt nga firmëtari te KQZ-ja: personat e autorizuar që mbledhin dhe administrojnë firmat kanë qasje në të për kryerjen e detyrës së tyre.

Çfarë mbron ligji?

Mbledhja e të dhënave për këtë proces mbështetet në procedurën ligjore të referendumit dhe në fletën tip të miratuar nga KQZ-ja. Ligji nr. 124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, kërkon që përpunimi të ketë bazë ligjore dhe që të dhënat të trajtohen për qëllime të përcaktuara e të ligjshme. Ai parashikon edhe parimin e minimizimit: të mblidhen vetëm të dhënat e nevojshme për qëllimin.

Pëlqimi në një kutizë nuk është baza e vetme e mundshme ligjore për përpunimin e të dhënave. Në këtë rast, të dhënat kërkohen në kuadër të procedurës zyrtare për mbledhjen dhe verifikimin e nënshkrimeve.

Ligji dhe rregullat e KQZ-së vendosin kufij për çdo palë që merr pjesë në këtë proces, përfshirë grupin nismëtar, mbledhësit e autorizuar dhe institucionet. Asnjëra palë nuk ka të drejtë t’i përdorë të dhënat e firmëtarëve jashtë qëllimit të ligjshëm të procesit.

Grupi nismëtar ka ndjekur të njëjtin parim mbrojtjeje edhe për të dhënat e veta: gjatë aplikimit në KQZ kërkoi që të dhënat personale të nismëtarëve të publikoheshin në formë të anonimizuar.

Çfarë mund të pyesni dhe ku mund të ankoheni?

Para se të firmosni, mund t’i kërkoni personit që mbledh nënshkrimet të shpjegojë:

  • cilat të dhëna jepni dhe pse kërkohen;
  • kush do të ketë qasje te fleta dhe për çfarë qëllimi;
  • bazën ligjore, mënyrën e administrimit dhe kohën e ruajtjes;
  • ku mund të drejtoheni për ushtrimin e të drejtave tuaja.

Nëse mendoni se të dhënat tuaja janë përpunuar në kundërshtim me ligjin, mund të paraqisni ankim pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Për pyetje mbi mënyrën si i mbledhim firmat, mund të na shkruani te info@referendum21.org.

Komisioneri është autoriteti i pavarur që mbikëqyr zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai është një rrugë ankimi edhe kur shqetësimi lidhet me mënyrën si një institucion i përdor të dhënat.

Analitika e faqes

Për të kuptuar si përdoret kjo faqe dhe për ta përmirësuar, përdorim dy mjete. Asnjëri nuk ka lidhje me nënshkrimet dhe asnjëri nuk kërkon emrin tuaj.

  • Cloudflare Web Analytics numëron vizitat, faqet e hapura dhe vendin e përafërt, pa cookie dhe pa ndjekur personat.
  • Microsoft Clarity tregon klikimet, lëvizjen dhe sa gjatë qëndrohet në çdo pjesë të faqes. Përdor cookie. Për vizitorët jashtë Shqipërisë ndizet vetëm nëse e pranoni; për vizitorët në Shqipëri ndizet pa kërkuar pëlqim, por mund ta refuzoni kurdo më poshtë. Formularët dhe fotot që ngarkoni maskohen, pra nuk regjistrohet ç’shkruani.

Mund ta ndryshoni zgjedhjen kurdo:

Dokumentet përkatëse

← Kthehu te mundësitë për të firmosur